BIRN: Ja kush fshihet pas inevstimit në Zvërnec

Dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë u mblodhën të shtunën, më 23 maj, në lagunën e Nartës për të protestuar kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros – pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë – nga një kompani ndërtimi, e cila ka siguruar leje nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një resorti masiv turistik në zonë.

Protestuesit mbanin në duar banderola në mbrojtje të natyrës dhe kundër oligarkisë – biznesmenëve vendorë të lidhur me qeverinë, të cilët ata i akuzojnë se po ua rrëmbejnë në mënyrë të paligjshme pronat.

“Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat që mbanin protestuesit, ndërsa u përballën me një kordon policësh të thirrur për të mbrojtur kantierin dhe makineritë e rënda.

Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë. Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Por dokumentet e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se, pas profilit publik të sofistikuar të familjes presidenciale amerikane, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.

Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama./ Marre nga BIRN.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo