Bekim Sali: Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar mbetet i rëndësishëm për reformat, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë demokratike
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, realizoi takim dhe diskutim pune me Ambasadorin e Mbretëris së Bashkuar, Matthew Lawson, ku u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme partneriale dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.
Në takim u theksua se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner strategjik dhe mbështetës i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në proceset reformuese, forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe transformimin institucional.
Ministri Sali theksoi se Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar në zbatimin e Reform Agenda 2024–2027 dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si mekanizma kyç për modernizimin e shtetit, përmirësimin e shërbimeve publike dhe përshpejtimin e konvergjencës me Bashkimin Evropian.
Në kuadër të diskutimeve u potencua rëndësia e forcimit të qeverisjes së mirë, koordinimit institucional, digjitalizimit, sigurisë kibernetike, luftës kundër dezinformimit, si dhe zhvillimit të politikave të bazuara në rezultate dhe përgjegjësi institucionale.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, investimeve, projekteve infrastrukturore, inovacionit dhe transformimit të gjelbër dhe digjital.
Ministri Sali vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për proceset demokratike, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin afatgjatë të vendit, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve mbetet i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe stabilitetin rajonal.

