Fushata zgjedhore ka nisur të enjten, megjithatë partitë politike e kanë filluar atë disa ditë më herët, para hapjes së afatit zyrtar. Disa prej tyre kanë zgjedhur të takohen me diasporën, të tjera me qytetarë në komuna të ndryshme të vendit, ndërsa disa kanë zhvilluar aktivitete përmes rrjeteve sociale.
Megjithatë, asnjë subjekt politik nuk pritet të ndëshkohet për fillimin e parakohshëm të fushatës, pasi kjo çështje nuk është e rregulluar në mënyrë të qartë me ligj.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në një përgjigje për Albanian Post, ka bërë të ditur se procedurat për trajtimin e rasteve nga palët me interes ligjor zhvillohen vetëm pas pranimit të ankesave zyrtare. “Sipas dispozitave ligjore, fushata zgjedhore zhvillohet vetëm brenda afatit të përcaktuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa jashtë këtyre afateve PZAP-i nuk ndërmerr masa ndëshkuese, pasi kjo çështje nuk është e rregulluar me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (LZP), e as me rregullat zgjedhore”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.
Në këtë mënyrë, mbetet e paqartë nëse aktivitetet e hershme të partive politike mund të trajtohen si shkelje, duke lënë një hapësirë interpretimi në kuadër të procesit zgjedhor.
Mungesa e një rregullimi të qartë për fillimin e fushatës mund të krijojë edhe avantazh për subjektet politike që nisin aktivitetet e tyre më herët se afati zyrtar, pa pasoja ligjore.
Këto janë zgjedhjet e treta brenda 16 muajve në vend, duke reflektuar një cikël të shpeshtë elektoral dhe një skenë politike të paqëndrueshme.
Një situatë e ngjashme është vërejtur edhe në zgjedhjet e kaluara, ku subjektet politike kishin nisur fushatën disa ditë para afatit zyrtar, përmes takimeve me qytetarë, diasporën dhe aktiviteteve në rrjete sociale.
Edhe atëherë, pavarësisht këtyre veprimeve të hershme, nuk pati masa ndëshkuese ndaj asnjë subjekti politik, pasi praktika të tilla nuk janë trajtuar si shkelje të rregullueshme në mënyrë të qartë nga legjislacioni zgjedhor në fuqi.