Artin Spahiu
Zgjedhjet po paralajmërohen dhe pothuajse i gjithë faktori politik në vend ka shprehur qëndrimet e veta, gjë që është e pritshme në situata të tilla.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy janë qëndrimet e liderëve të dy partive kryesore maqedonase, të cilët po paralajmërojnë vazhdimësinë e një marrëveshjeje politike që buron nga agjenda e të ashtuquajturës “Qendër Hibride”.
Filipçe, edhe pse i vetëdijshëm se rënia drastike e partisë së tij erdhi si pasojë e asaj që maqedonasit i quajnë “marrëveshje tradhtare” me fqinjët (Greqinë dhe Bullgarinë), vazhdon të insistojë në të njëjtën retorikë, sikur dëshiron LSDM-në ta mbajë në të njëjtat kuota-të ulta.
Nga ana tjetër, Mickoski, i cili erdhi në pushtet përmes një diskursi nacionalist dhe antievropian, sot flet me pozitat e një “superfuqie”, duke paralajmëruar zhdukjen politike të “LSDM-së tradhtare”.
Ky rol dominant që Mickoski po i jep vetes ndaj opozitës, e veçanërisht ndaj LSDM-së, nuk është i rastësishëm.
Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, i njëjti Mickoski kërkonte ndihmën e BDI-së, gjer në nënshtrim ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Sot situata është përmbysur, jo si rezultat i ndonjë ndryshimi spontan, por si pasojë e një konfigurimi të ri politik, i ndërtuar mbi një marrëveshje mbarëmaqedonase, të mbështetur edhe nga elemente të caktuara shqiptare.
Kjo që po shohim nuk është thjesht një përplasje politike, por një vazhdimësi. Bëhet fjalë për një model funksionimi ku VMRO-DPMNE dhe LSDM, përmes marrëveshjeve të tërthorta, mbajnë një balancë të kontrolluar: njëra qeveris, ndërsa tjetra ruan statusin e opozitës “së rregullt”, pa e rrezikuar realisht pushtetin.
Fatkeqësia më e madhe qëndron te zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me faktorin shqiptar të përçarë dhe të dobësuar-falë edhe këtij sinkronizimi të forcave maqedonase-Mickoski mund të forcohet edhe më shumë. Kjo do t’i hapte rrugë zbatimit të mëtejmë të agjendës për dobësimin institucional të shqiptarëve, ndoshta edhe më fuqishëm.
E gjithë kjo skenë ka një zanafillë që synonte dëmtimin e shqiptarëve, BDI-së dhe personalisht Ali Ahmetit. Ironikisht, kjo goditje u prodhua edhe nga brenda vetë BDI-së.
I ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit” brenda BDI-së, i cili u krijua si grup njerëzish të pakënaqur ndaj përfaqësuesve të përzgjedhur për ekzekutiv në qeverinë 2020-2024, me veprimet e tij, jo vetëm që dëmtori strukturën e brendshme partiake, por krijoi një klimë përçarjeje që e detyroi qeverisjen të hynte në kompromise të panevojshme dhe koalicione të imponuara.
Obstruksionet e tyre e dobësuan fuqinë numerike dhe politike të BDI-së në momentin e saj më kulminant.
Përmes sulmeve publike dhe një narrative të ndërtuar mbi shpifje ndaj strukturës qeveritare më të fuqishme të shqiptarëve në Maqedoninë pluraliste, ata kontribuan në linçimin politik të eksponentëve kryesorë të BDI-së, duke mos kursyer as liderin dhe familjen e tij. Më pas, një pjesë e këtij grupi krijoi struktura të reja dhe u rreshtua në projekte që, në thelb, shërbyen për:
• Krijimin e koalicionit satelit të Qendrës Hibride antishqiptare- VLEN;
• Forcimin e VMRO-së në zgjedhjet parlamentare;
• Hyrjen në qeveri jo për të avancuar interesat shqiptare, por për t’i dëmtuar në bërthamë ato.
Sot, çdo përpjekje e tyre për t’u rikthyer si “kundërshtarë të fortë” të Mickoskit nuk e zhbën dot dëmin e shkaktuar, por po duket më shumë se po luajnë lojën e kordinuar të Big Brother, që poashtu do të ndikon në dëmtimin e BDI-së.
Gjithashtu, dëmi i tyre rritet kur shohim hakmarrjen ndaj besnikëve të Ali Ahmetit-atyre që e mbrojtën subjektin dhe Ali Ahmetin në momentet kur ata ishin rreshtuar kundër tij dhe mundoheshin të dëmtonin imazhin e tij, gjer në demitizim të figurës së tij patriotike.
Dëmi ndaj përfaqësimit dhe fuqisë politike të shqiptarëve nuk është thjesht një episod kalimtar, ai është strukturor. Si i tillë, ai nuk mund të rikuperohet lehtësisht me retorikë apo manovra të reja taktike, që në thelb kanë qëllim dëmtimin e mëtejm të kauzës shqiptare.