Arrestohen tre persona, mes tyre edhe një pronare e një salloni bukurie (VIDEO)

Sektori për Kontroll dhe Hetime ka privuar nga liria tre persona, mes tyre edhe një pronare e një salloni bukurie, të dyshuar për kontrabandë të preparateve mjekësore të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Është kryer edhe kontroll në një sallon bukurie, ku janë gjetur mbushës dermalë të pakontrolluar dhe produkte të tjera mjekësore të kontrabanduara që përdoren për trajtime estetike, por edhe për reduktimin e yndyrës, të cilat pronarja i ka përdorur te klientët.

Skema kriminale është zbuluar në pikën kufitare Tabanovc, ku gjatë një kontrolli të detajuar të një furgoni janë gjetur gjithsej 535 ampula me preparat për dobësim dhe 7.400 etiketa me mbishkrimin TIRZ 2.5 mg dhe TIRZ 5 mg, të fshehura në çarçafë. Automjeti, nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një ekip mobil i doganës, ka vazhduar rrugën deri në vendin ku ishte parashikuar dorëzimi i dërgesës nga ana e pronares së sallonit.

Në momentin e pagesës, inspektorët e Departamentit të Hetimeve e arrestuan, ndërsa me urdhër të prokurorit publik u krye kontroll në sallon, ku u gjetën edhe preparate të tjera mjekësore të kontrabanduara – mbushës dermalë, preparate për shpërbërjen e tyre, produkte për reduktimin e yndyrës, konturimin e fytyrës, heqjen e rrudhave dhe produkte për rinovim të lëkurës.

Për produktet e gjetura nuk ishte siguruar dokumentacion për sigurinë, cilësinë dhe importin e ligjshëm, ndërsa sipas dyshimeve, ato janë reklamuar dhe përdorur te klientët.

Kundër të dyshuarve është ngritur kallëzim penal në prokurorinë kompetente për veprat penale të kontrabandës dhe prodhimit dhe vënies në qarkullim të mjeteve të dëmshme për trajtim mjekësor.

Drejtoria e Doganave do të vazhdojë me aktivitetet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke apeluar se të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin do të sanksionohen rreptësisht.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo