Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimit të rolit të tij në zhvillimin shoqëror, Universiteti i Tetovës, më 16 prill 2026, nënshkroi dy memorandume bashkëpunimi me organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale: Federatën e Paqes Universale dhe Youth and Students for Peace Balkan (YSP Balkan).
Memorandumi i parë i bashkëpunimit me Federatën e Paqes Universale është nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, z. Gani Rroshi. Ky memorandum synon promovimin e kulturës së paqes dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fusha si edukimi, arti, sporti, media dhe shërbimi komunitar, përmes konferencave, forumeve, seminareve dhe projekteve të ndryshme.
Ndërkohë, memorandumi i dytë me Youth and Students for Peace Balkan (YSP Balkan) është nënshkruar nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Drejtoresha Ekzekutive e YSP Balkan, Ejona Icka. Ky bashkëpunim fokusohet në fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin e komunitetit përmes aktiviteteve edukative, sociale, kulturore dhe rinore, duke përfshirë trajnime, aktivitete sportive dhe iniciativa për mirëqenie dhe përfshirje sociale.
Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se këto marrëveshje janë hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit dhe rritjes së ndikimit të tij në shoqëri. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me këto organizata krijon mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, si dhe kontribuon në promovimin e vlerave të paqes, dialogut dhe zhvillimit institucional.
Memorandumet e nënshkruara parashohin realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata në funksion të zhvillimit të arsimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në komunitet.


