Në Universitetin e Tetovës u organizua një ligjëratë, me temë “Të folurit në publik dhe PR në mediat sociale”, e cila mblodhi një numër të konsiderueshëm maturantësh nga shkollat e mesme të Tetovës. Ky aktivitet kishte për qëllim informimin e të rinjve me njohuri praktike dhe bashkëkohore në fushën e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.
Ligjërata u mbajt nga Mr. Sc. Liridona Vejseli, e cila përmes një prezantimi interaktiv ndau përvojën e saj profesionale dhe praktikat më të mira në ndërtimin e një imazhi publik të suksesshëm. Ajo u ndal veçanërisht te rëndësia e të folurit në publik si një aftësi për sukses në çdo fushë, duke ofruar këshilla për tejkalimin e emocioneve dhe ndërtimin e vetëbesimit gjatë paraqitjeve publike.
Gjatë ligjëratës u trajtuan edhe strategjitë moderne të PR-it në mediat sociale, duke theksuar mënyrat efektive të përdorimit të platformave digjitale për promovimin e ideve, projekteve dhe vlerave personale. Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë mbi krijimin e përmbajtjes cilësore, menaxhimin e reputacionit online dhe rëndësinë e komunikimit me audiencën.
Në pjesën përmbyllëse, nxënësit u përfshinë në diskutime dhe pyetje, duke e bërë ligjëratën edhe më interaktive dhe të dobishme.


