Sindikata e Pavarur Akademike: MASH nuk i pranoi sugjerimet tona për projektligjet e arsimit të lartë pavarësisht argumenteve
Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) njoftoi se më 17 prill zhvilloi një takim me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), në ambientet e Ministrisë. Takimi u mbajt me iniciativën e SPA-së, bazuar në një kërkesë të paraqitur më parë për hapjen e një dialogu institucional në lidhje me paketën e projektligjeve për arsimin e lartë, aktivitetin kërkimor-shkencor dhe sigurimin e cilësisë. Ata shtojnë se pavarësisht argumenteve dhe sugjerimeve të paraqitura, shumica e propozimeve tona për përmirësimin e tekstit të ligjeve nuk u pranuan në takim, transmeton Portalb.mk.
Në takim, përfaqësuesit e SPA shpjeguan në detaje vëzhgimet, qëndrimet dhe argumentet e tyre në lidhje me zgjidhjet e propozuara ligjore, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me:
respektimin e parimit të autonomisë universitare,
shpërndarjen e kompetencave midis organeve të pavarura dhe degës ekzekutive,
kushtet për zgjedhje në tituj mësimorë-shkencorë dhe shkencorë,
financimin e aktivitetit kërkimor-shkencor, si dhe
autonominë financiare dhe njerëzore të institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencore.
“Pavarësisht argumenteve dhe sugjerimeve të paraqitura, SPA shpreh keqardhje që shumica e propozimeve tona për përmirësimin e tekstit të ligjeve nuk u pranuan në takim. Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shprehën hapur vetëm për përcaktimin më të mirë të bazave shkencore përkatëse për fushën shkencore të gjuhëve dhe letërsisë”, thuhet në njoftim.
Disa javë më parë, e njëjta sindikatë theksoi se ligjet e arsimit të lartë në këtë formë do të shkaktojnë dëme të pariparueshme.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të mos i tregojnë autorët të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë i cili u shoqërua me shumë kritika.
Derisa autorët mbeten sekret, propozim-ligji të hënën do të ripublikohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER) me të gjitha komentet që u pranuan gjatë debateve publike ose u dorëzuan elektronikisht dhe pas disa ditësh do të kalojë në procedurë qeveritare.
Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
Ky propozim-ligj është shoqëruar me vërejtje të mëdha nga akademia dhe sektori civil.