Policia ka intervenuar mbrëmë në një rast në Kaçanik pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri.
Me këtë rast, bëhet e ditur, forcat e rendin kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë patrullimit, në rrugën “Ismail Raka”, kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga një 26-vjeçar me inicialet L.M.
“Gjatë verifikimit dhe kontrollit të personit dhe automjetit, në brezin e të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me 5 fishekë, si dhe 2 gëzhoja në xhepin e pantallonave.
Po ashtu, në veturë është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë).
Arma, fishekët, gëzhojat dhe thika janë konfiskuar nga ana e policisë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar nga njësiti i hetimeve”, thotë policia në një njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.