Seanca nis 1 orë me vonesë, a po bëhet Kosova me president?
Seanca për presidentin e Kosovës ka nisur 1 orë me vonesë, pasi e njëjta është thirrur për në orën 10:00.
Kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu ka nisur fjalimin, teksa ajo që shihet është se veç Lëvizja Vetëvendosje është në sallë.
Opozita as sot s’po merr pjesë, derisa kryeparlamentarja u bëri thirrje deputetëve të partive të tjera të jenë pjesë e kësaj seance.
Çështja e presidentit, Gashi: Sjellje e dhunshme për ndryshim të rendit kushtetues (VIDEO)
Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka komentuar situatën aktuale sa i përket çështjes së presidentit.
Para mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, ai tha se çdo tentim për ta tejkaluar rregullin kushtetues është shkelje e Kushtetutës.
“Mendoj se rendi kushtetues është i qartë. Çdo tentim për të tejkaluar rregullin kushtetues është shkelje e Kushtetutës dhe sjellje e dhunshme e njëanshme për ndryshim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv.
“Gjithçka është përtej moralit, përtej rregullave, po kalohet në përdorim të forcës, jam i bindur që kjo duhet të ndalohet, nuk duhet të lejojmë që të shkojmë drejt një përplasjeje”.
Ai theksoi se përplasja sociale politike është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën, raporton Klankosova.tv.
“Unë si qytetar jam i shqetësuar për gjendjen dhe rruga e cila është zgjedh”, shtoi Gashi.
Kurti thotë se po bëhen përpjekjet maksimale për zgjedhjen e presidentit
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se po bëhen përpjekjet maksimale për të zgjedhur presidentin/en e vendit.
Pak para seancës së jashtëzakonshme, shefi i qeverisë tha se mbetet të shihet nëse në sallë do të paraqiten deputetët e opozitës, transmeton Klankosova.tv.
“Ne po bëjmë përpjekjet maksimale, tash do shohim a po vinë deputetët e opozitës, që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin”, tha Kurti.
Haradinaj: Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar pak para seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Para mediave, Haradinaj tha se mbrëmë ka ndodhur një shkelje e rëndë kushtetuese, transmeton Klankosova.tv.
“Votimi pa 2/3, ashtu siç e parasheh Kushtetua, është shkelje e rëndë, drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje U.D të presidentes, kryetares së Kuvendit, kryetari të Qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”, u shpreh i pari i AAK-së.
“Kjo është një situatë shumë ndryshe. Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani, ai i zgjedh mënyrat e veta, të protestave, e mënyra të tjera”, tha ai.
Deputeti i VV-së: Si askush tjetër, Feride Rushiti i plotëson standardet për shefe të shtetit
Deputeti i VV-së, Vigan Qorolli është deklaruar në lidhje me çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit.
Për Klan Kosova, ai tha se Feride Rushiti, si askush tjetër i plotëson standardet për të qenë presidente e Kosovës. Sipas tij, ajo është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Feride Rushiti është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës. Si askush tjetër, zonja Rushiti i plotëson standardet për të qenë shefe e shtetit, nuk është kandidaturë veç e VV-së, por e përfaqëson më së miri se çka ka bërë në këto dy dekada”, deklaroi Qorolli.
Ai tha se pret që opozita të marrë pjesë në seancë.
“Presim që opozita të reflektojë dhe të vijë në seancë”, shtoi deputeti, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa sa i përket mesazhit të Naim Bardiqit, deputeti tha se nuk i komenton mesazhet individuale.
“Nuk paraqet qëndrim të tillë, sepse presidenti paraqet unitetin e popullit. Kosova duhet të ketë president, kemi bërë përpjekje maksimale që t’i evitojmë zgjedhjet”, tha Qorolli.
LDK s’merr pjesë as në seancën e sotme për presidentin
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë as sot në seancën e thirrur për presidentin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”, njofton Klankosova.tv.
Pas pak seanca për presidentin, Berisha: S’ka rregulla e as besim, ligji nuk po respektohet
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është deklaruar para vazhdimit të seancës për presidentin.
Sipas tij, nuk ka rregulla e as besim, madje as ligji nuk po respektohet, njofton Klankosova.tv.
“Me zgjedh një kandidat opozita tha 3 i ka, kur erdhëm ishin dy gra, gra të Kosovës të respektuara, por ndryshuan fjalët për 15 minuta. Besim nuk ka, rregulla nuk ka, ligji nuk po respektohet, tash erdhëm këtu me këqyrë çka”, u shpreh Berisha.