Në Universitetin e Tetovës u organizua një aktivitet informues për prezantimin e programeve të bursave dhe shkëmbimeve arsimore të ofruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup. Aktiviteti kishte për qëllim informimin e studentëve dhe stafit akademik mbi mundësitë e studimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së në Shkup zhvilluan edhe një takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe ekipin e tij. Në takim morën pjesë Charles M. Santiago Morales, Atashe për Arsim dhe Kulturë në Ambasadën e SHBA-së, si dhe z. Gazmend Ilazi, koordinator për shkëmbime dhe alumni në Ambasadën e SHBA-së në vendin tonë. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin akademik për të përfituar nga programet e bursave dhe shkëmbimeve arsimore të mbështetura nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit, u zhvillua aktiviteti informues me studentët dhe stafin akademik, ku prezantimin e programeve e realizoi z. Gazmend Ilazi. Gjatë prezantimit u paraqitën mundësitë e shumta që ofrojnë programet e shkëmbimeve akademike dhe profesionale të mbështetura nga Qeveria e SHBA-së. Gjatë aktivitetit u prezantua në mënyrë të detajuar programi prestigjioz Fulbright për studime postdiplomike dhe postdoktorale, i cili u mundëson studentëve të diplomuar dhe studiuesve të rinj të ndjekin studime master ose të realizojnë projekte kërkimore në universitete amerikane. Në këtë kuadër u theksua se aplikimet për vitin akademik 2027–2028 janë të hapura deri më 31 maj 2026, ndërsa aplikimi realizohet në mënyrë elektronike përmes platformës zyrtare të programit.
Në kuadër të aktivitetit, përvojat e tyre personale si përfitues të bursave ndërkombëtare i ndanë edhe profesorët e Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Gjeraqina Leka dhe Prof. Dr. Arianit Reka, të cilët kanë qenë bursistë të programeve të shkëmbimit akademik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata ndanë me të pranishmit përvojat e tyre akademike dhe profesionale, duke theksuar rëndësinë që këto programe kanë për zhvillimin profesional, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfitimin e përvojave të reja në një mjedis akademik ndërkombëtar.
Po ashtu, pjesëmarrësit u informuan edhe për programe të tjera të rëndësishme të shkëmbimit dhe zhvillimit profesional, si: Hubert H. Humphrey Fellowship Program, Community Solutions Program, Young Transatlantic Innovative Leaders Initiative (YTILI), Community Engagement Exchange (CEE), si dhe programe të tjera që ofrojnë mundësi për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe lidershipit.
Ky aktivitet u mirëprit nga studentët dhe stafi akademik i Universitetit të Tetovës, të cilët shfaqën interes për mundësitë që ofrojnë këto programe prestigjioze ndërkombëtare.



