Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Rritje minimale e çmimeve, ulje e marzhit tregtar te produktet bazë





Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, përpiloi analizë krahasuese të lëvizjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe joushqimore, në përputhje me konkluzionin e miratuar në seancën e 162-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Analiza përfshin çmimet e 55 produkteve më të shitura, të përcjella në katër zinxhirë tregtar me pozicionim të ndryshëm të çmimeve, në periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill të vitit 2026.
Rezultatet tregojnë se në periudhën e analizuar është regjistruar rritje minimale e çmimeve të shitjes prej 0,43%, derisa çmimet e blerjeve shënojnë rritje diçka më të lartë prej 1,01%. Në të njëjtën kohë, marzhi mesatar i fitimit bruto te tregtarët është ulur nga 16,28% në 15,80%, gjë që tregon se një pjesë e presionit nga rritja e çmimeve blerëse është absorbuar nga tregtarët, me qëllim që të ruhet stabiliteti i çmimeve për qytetarët.
Në lidhje me kategoritë individuale:
– Тe produktet ushqimore bazë ka rritje të lehtë prej 0,45%, me ç’rast rritje më të madhe ka te kosi, djathi, vezët dhe vaji;
– në rastin e pijeve joalkoolike është regjistruar ulje prej 1,01%;
– te frutat dhe perimet ka rënie prej 0,86%, përkundër rritjes së domateve dhe qepëve;
– te produktet bazë të higjienës është shënuar rritje prej 1,42%.
Ministria vlerëson se lëvizjet e çmimeve në periudhën e analizuar janë mesatare dhe nën kontroll, falë edhe uljes së marzheve tregtare.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive kushtet e tregut dhe, nëse është e nevojshme, të propozojë masat e duhura për stabilizimin e çmimeve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo