Kryeministri Hristijan Mickoski komentoi sot fitoren e Petar Magyar, kreut të partisë Tisza, i cili arriti një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare në Hungaria, të mbajtura të dielën, si dhe njoftimet për ekstradimin e mundshëm të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili u arratis në Budapest në nëntor të vitit 2018, ku iu dha azil politik, përcjell Nistori.
Mickoski e uroi Magyar-in për fitoren, duke shtuar se pret që politikat që ai do të udhëheqë të jenë pro-evropiane dhe në mbështetje të anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe vendin.
“Ne patëm bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë me ish-kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán. Por vullneti i qytetarëve të Hungarisë është i qartë dhe i padiskutueshëm, dhe Magyar ka marrë mbështetjen e tyre. Pres që politikat e tij të jenë pro-evropiane dhe në funksion të integrimit. Gjithashtu pres mbështetje pa kompromis për integrimin e rajonit, përfshirë vendin tonë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Lidhur me deklaratën e Magyar-it se vendi i tij nuk do të jetë më strehë për kriminelët e huaj që kanë marrë azil, duke përmendur edhe emrin e Gruevskit, Mickoski tha se politikat konkrete në këtë drejtim janë çështje e vendimeve të qeverisë hungareze.
Ai theksoi se ekstradimi i Gruevskit ishte kërkuar në vitin 2018 dhe ishte refuzuar në vitin 2019 nga autoritetet hungareze.
“Nga sa di unë, ekziston një procedurë për përcaktimin e së drejtës për azil, në bazë të arsyeve të caktuara.”
Për informacione shtesë, kryeministri i udhëzoi gazetarët t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë.
“Unë nuk jam ministër i Drejtësisë, unë jam kryeministër”, tha ai.
I pyetur nëse pret që Gruevski të kthehet në vend, Mickoski u përgjigj se nuk ka pritje të tilla, por theksoi se, nëse ai kthehet, do të vuajë dënimin.
“Nuk kam pritje të tilla, por nëse Gruevski shfaqet në Maqedoni, ai përballet me një vendim të formës së prerë dhe, sapo të kthehet, organet ligjzbatuese do ta ndalojnë dhe do ta dërgojnë për të vuajtur dënimin me burg, në përputhje me vendimin përfundimtar. Ne jemi një qeveri që respekton ligjet dhe institucionet e shtetit. Çdo person ka të drejtë të përdorë mjetet ligjore dhe të paraqesë ankesa. Por ekziston një vendim përfundimtar, sipas të cilit ai duhet të vuajë dënimin. Sa i përket kthimit të tij, nuk kam pritje të tilla”, deklaroi Mickoski.
Lidhur me njoftimin e liderit të opozitës Venko Filipçe se do të kërkojë rishikimin e marrëveshjeve me Hungarinë në fushën e telekomunikacionit, energjisë dhe medias, kryeministri tha se të gjitha marrëveshjet janë transparente, duke shtuar se LSDM po sillet “si Alice në Botën e Çudirave”.
Sipas tij, institucionet janë të hapura dhe transparente, dhe çdo informacion mund të sigurohet në përputhje me procedurat ligjore. /Nistori/