Mickoski: Gjashtë tremujorë radhazi kemi rritje të PBB-së prej 3,5%, në kushte kur rritja në BE është nën 1%
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes së gazetarëve lidhur me informacionet dhe shifrat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave për qarkullimin në industri, deklaroi:
„Epo, duke pasur parasysh gjendjen në botë dhe gjendjen në Evropë, vlerësoj se rritja e qarkullimit në industri, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, është solide. Ne jemi vendi i vetëm që kemi një rritje të tillë në rajon, asnjë tjetër nuk ka rritje të këtillë.
Shpeshherë kur komentojmë, duhet të bëjmë krahasime. Kjo Qeveri tani, për gjashtë tremujorë radhazi, ka një mesatare të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,5%, por kjo në kushte kur rritja në BE është nën 1%. Dikush do të thotë se ka pasur periudha kur rritja ka qenë edhe 5,5% apo 6%, por po, atëherë edhe rritja brenda Bashkimit Evropian ka qenë identike, 5,5% dhe 6%. Tani kemi rritje më shumë se tre herë e gjysmë më të lartë se ajo mesatarja e BE-së, dhe flas për gjashtë tremujorë radhazi. Kjo për ne paraqet frymëzim se po i menaxhojmë gjërat mirë. Nuk po them shkëlqyeshëm, sepse gjithmonë mundet më mirë, por tani për tani, duke pasur parasysh situatën globale, mendoj se gjërat po ecin mbarë. Brenda kësaj sfide ndodhet edhe industria.
Te prodhimi industrial kemi dy sfida, përkatësisht aktivitetin e dobët të një pjese të minierave. Megjithatë, ekzistojnë edhe struktura në shoqëri që do të donin që të gjitha minierat të mbyllen, edhe ato që i përmbushin të gjitha standardet mjedisore, dhe në këtë mënyrë ta çojnë shtetin drejt falimentimit për të përfituar më shumë grante. Ka edhe të tillë.
Ja, shoh reagime menjëherë pas minierës strategjike për antimon, e cila është konkurruese në nivel botëror, u shfaqën disa të tillë që menjëherë të kritikojnë për të përfituar më shumë grante dhe ta spiunojnë shtetin dhe këtë Qeveri, por këtë herë mendoj se do të hasin në një “arrë të fortë”. Nuk do të tërhiqemi, sepse kjo është e ardhmja, nëse duam të kemi shtet, kjo është e ardhmja.
Dhe së dyti, ajo që për mua është e rëndësishme, përveç minierave, është stabilizimi i prodhimit të energjisë elektrike. Dhe mendoj se tashmë është në kuadër të rrjedhave stabile. Kështu që në përgjithësi, duke e marrë parasysh situatën, do ta përsëris, globalisht jemi në një rrugë të mire”.