Kurti takon Whitakerin: Përshpejtimi i anëtarësimit në NATO, garantues për sigurinë në Ballkan

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.

Kurti ka theksuar gjatë takimit se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të shërbente si garantues afatgjatë për sigurinë në Ballkan. Në komunikatën e Zyrën e Kryeministrit thuhet se Kurti foli për bashkëpunimin dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë.

“Kryeministri Kurti vlerësoi se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, thuhet të ketë thënë Kurti në takim me Whitaker.

Ndërsa ka folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kurti ka theksuar se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Kurti ka folur edhe për armatosjen e Serbisë, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan.

“Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo