Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se janë hedhur poshtë të gjitha pretendimet, siç i cilësoi ajo, të pavërteta lidhur me pakon e tre ligjeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, përfshirë edhe akuzat se do të cenohet autonomia e universiteteve.
Deklaratën e saj, Janevska e bëri gjatë prezantimit të sotëm të zgjidhjeve të reja ligjore në mbledhje të Qeverisë, ku theksoi se procesi i hartimit të ligjeve ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Procesi i hartimit të ligjeve ishte plotësisht transparent. Përgatitja e zgjidhjeve ligjore nuk është bërë sipas parimit të vitit 2018, kur ligjet u miratuan nga kabineti ministror pa debat publik”, u shpreh Janevska.
Ajo nënvizoi se është me rëndësi që këto zgjidhje të reja të pranohen nga komuniteti akademik, duke shtuar se gjatë përgatitjes së Ligjit për Arsimin e Lartë janë marrë parasysh një numër i madh sugjerimesh nga ekspertë dhe studiues.
Ministrja hodhi poshtë edhe disa pretendime të tjera që kanë qarkulluar në opinion, duke i quajtur ato të pavërteta.
“I mohojmë të gjitha pretendimet e rreme se zgjidhja e re ligjore shkel autonominë, se shteti nuk i paguan profesorët për punime shkencore, apo se vetëm fëmijët e të pasurve do të kenë mundësi të studiojnë. Kjo është një gënjeshtër e madhe”, theksoi Janevska.
Ajo nuk dha detaje shtesë mbi përmbajtjen konkrete të ndryshimeve ligjore, por ritheksoi se qëllimi i tyre është avancimi i sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.