Hakerët e lidhur me Rusinë kanë hakuar qindra email-e të prokurorëve dhe zyrtarëve në Ukrainë, vendet e NATO-s dhe Ballkan sipas Reuters. Nga 170 llogari mësohet u hakërruan 27 llogari të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë.
Sipas raportimeve, këto janë llogari email-i të paklasifikuara të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, përmes të cilave nuk qarkullojnë dokumente të klasifikuara ose informacione përkatëse.
Të dhënat u ekspozuan aksidentalisht në internet nga vetë hakerat dhe u identifikuan nga grupi i kërkimit të sigurisë kibernetike Ctrl-Alt-Intel, i cili zbuloi se autorët lanë informacion të ekspozuar në internet, duke përfshirë regjistrat e sulmeve të suksesshme dhe mijëra email-e që ishin përgjuar.
Hetimi ia atribuon fushatën e shkeljeve një grupi hakerash të lidhur me Rusinë, të njohur si “Fancy Bear”, i cili është akuzuar për sulme spiunazhi kibernetik në të kaluarën. Dy ekspertë të pavarur të sigurisë kibernetike ranë dakord se aktiviteti ishte i lidhur me Moskën, megjithëse shprehën rezerva në lidhje me identitetin e saktë të grupit.
Organizatat e prekura përfshijnë agjenci ukrainase të përfshira në luftën kundër korrupsionit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve rusë, të tilla si Zyra e Prokurorit Special për Çështjet e Mbrojtjes dhe Agjencia e Menaxhimit të Aseteve (ARMA). Sipas të dhënave, llogaritë e punonjësve në një qendër trajnimi për prokurorë në Kiev u kompromentuan gjithashtu.
Të dhënat tregojnë gjithashtu shkelje në organizata jashtë Ukrainës. Në Rumani, u aksesuan dhjetëra llogari të lidhura me Forcat Ajrore, duke përfshirë adresa që lidhen me bazat e NATO-s. Incidente të ngjashme u zbuluan edhe në Bullgari dhe Serbi.
Përveç kësaj, sipas të dhënave, sulmet u shtrinë edhe tek zyrtarët politikë dhe ushtarakë në vendet e rajonit, si dhe tek institucionet publike.