Gashi: Listat e hapura do të rrisin demokracinë dhe llogaridhënien e deputetëve





Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka vlerësuar se vendosja e modelit me lista të hapura në zgjedhje do të kontribuonte në forcimin e demokracisë dhe në rritjen e përgjegjësisë së deputetëve ndaj qytetarëve.

Në një debat kushtuar rolit të Kuvendit në procesin e integrimeve evropiane, të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane, Gashi theksoi se ekziston nevojë gjithnjë e më e madhe për ndryshime në sistemin zgjedhor.

Sipas tij, modeli me lista të hapura do t’u mundësonte qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, dhe jo vetëm partitë politike, duke rritur kështu llogaridhënien e deputetëve.

“Nevojitet guxim për të bërë hapin drejt listave të hapura. Në këtë mënyrë rritet dinjiteti dhe përgjegjësia e deputetëve”, u shpreh Gashi, duke shtuar se tashmë ekziston një grup pune që po shqyrton ndryshimet e mundshme në modelin zgjedhor.

Ai theksoi gjithashtu se nuk duhet të përgjithësohet puna e deputetëve, duke vlerësuar se në Kuvend ka edhe përfaqësues të përkushtuar dhe cilësorë.

Në debat u potencua edhe se modeli aktual zgjedhor mund të kufizojë pavarësinë e deputetëve, pasi shpesh ata varen nga renditja në listat partiake dhe vendimet e partive, gjë që ndikon në veprimin e tyre politik dhe vendimmarrje të pavarur.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo