Ka dështuar edhe takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i zhvilluar këtë të hënë në Prishtinë, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar para mediave pas takimit, se nuk është arritur asnjë marrëveshje me kryeministrin Kurti dhe se çështja e presidentit konsiderohet e mbyllur nga ana e partisë së tij.
“Vetëvendosje e konsideron që presidenti të jetë i tyre. LDK e konsideron këtë çështje të mbyllur. Kemi bërë mjaft, s’mund të bëjmë më tepër”, u shpreh Abdixhiku.
Takimi mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në një kohë kur afati kushtetues për këtë proces skadon më 28 prill.
Sipas Kushtetutës, nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit të përcaktuar, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Më herët, Albin Kurti kishte bërë thirrje për kompromis mes partive politike, duke theksuar se zgjedhja e presidentit kërkon vullnet politik dhe vendime jo të lehta.
“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit”, kishte deklaruar Kurti gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij.
Ky ishte takimi i dytë mes dy liderëve, pas një takimi të mëparshëm që gjithashtu kishte përfunduar pa marrëveshje konkrete.
Ndërkohë, deri më tani nuk ka pasur përparim të dukshëm në negociatat politike, ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar se nuk kanë propozuar emra për president.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me 80 vota në Kuvend në dy raundet e para ose me shumicë të thjeshtë në raundin e tretë, ndërsa kërkohet prania e 80 deputetëve për zhvillimin e seancës.
Për momentin, ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme në fillim të prillit.