“Blesok 26” – ushtrimi fushor i Armatës: fazë kyçe për vlerësimin nga NATO i Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë

Me pjesëmarrjen e rreth 1.500 pjesëtarëve të Armatës dhe me mbështetje nga monitorues të NATO-s, nga 19 deri më 27 prill në poligonin ushtarak Krivollak dhe në disa lokacione të tjera në vend do të realizohet ushtrimi taktik fushor “Blesok 26”.

Siç informoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski, në brifingun e sotëm me gazetarët, “Blesok 26” përfaqëson një fazë kyçe në procesin e vlerësimit të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) si njësi e deklaruar në NATO.

– Një nga aspektet kryesore është verifikimi i sistemit të komandimit dhe kontrollit me qëllim identifikimin e mundësive për përmirësim të mëtejshëm dhe funksionim më efikas – theksoi Lafçiski.

Ai shtoi se ushtrimi është vazhdim i serisë “Blesoku Maqedonas” dhe ka për qëllim të demonstrojë gatishmërinë luftarake, përgatitjen taktike dhe ndërveprueshmërinë e njësisë në përputhje me standardet strikte të NATO-s.

Drejtori i ushtrimit, kolonel Igor Arsovski, sqaroi se vlerësimin do ta kryejë një ekip kombëtar i certifikuar nga shkolla e NATO-s për ushtrime ushtarake, ndërsa i gjithë procesi do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e monitoruesve të NATO-s dhe vëzhguesve nga forcat tokësore shumëkombëshe (MLF).

– Ushtrimi do të zhvillohet në kushte të kontrolluara, me skenarë fiktivë të përcaktuar qartë dhe me përdorimin e forcave kundërshtare (OPFOR), duke mundësuar një testim real të komandimit, mbështetjes logjistike dhe aftësive operative të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë – theksoi Arsovski.

Në ushtrim do të përdoret teknikë moderne ushtarake dhe armatim që posedon Armata, përfshirë automjete të blinduara JLTV të pajisura me sisteme të komandimit në distancë, helikopterë transportues “Mi-8/17”, mjete artilerie, përfshirë obusë BORAN 105 mm dhe “M2A1”, si dhe mortaja 120 mm, automjete inxhinierike të specializuara Husky 1 dhe 2 për detektimin dhe neutralizimin e mjeteve shpërthyese, si dhe dronë për zbulim dhe vëzhgim.

Përveç aktiviteteve kryesore në poligonin Krivollak, përmbajtje stërvitore do të realizohen edhe në kazermat në Shtip, Prilep dhe Petrovec. Arritja e personelit është planifikuar të nisë më 16 prill, hapja solemne do të mbahet më 20 prill në Pepelishtë, ndërsa dita për mysafirë të lartë dhe mbyllja e ushtrimit janë caktuar për 27 prill.

Siç u theksua në brifing, përgatitjet për këtë ushtrim kompleks kanë zgjatur tetë muaj dhe kanë përfshirë një sërë konferencash dhe punëtorish, me qëllim sigurimin e koordinimit të plotë, planifikimit të saktë dhe përmbushjes së objektivave ushtarake, si dhe avancimin e mëtejshëm të ndërveprueshmërisë me partnerët e NATO-s.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo