BDI: Kush po ndihmon ndërtimin e Kazinos pranë varrezave në Bllacë? (VIDEO)





Ajo që qytetarët panë këto ditë nga afërsia e varrezave të Bllacës ka tronditur me të drejtë opinionin publik. Në një hapësirë që për qytetarët paraqet vend kujtese, qetësie dhe respekti për më të dashurit e tyre, po zhvillohen punime ndërtimore në parcelë që sipas të dhënave zyrtare figuron në pronësi të kompanisë Flamingo Casino.

Nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve.

Varrezat nuk janë vend për kazino.
Varrezat nuk janë zonë për bixhoz.
Varrezat nuk janë hapësirë për fitim komercial.

Ato janë vende dinjiteti. Dhe çdo tentim që pranë tyre të vendoset industri e lojërave të fatit është provokim i rëndë ndaj familjeve, ndaj besimtarëve dhe ndaj çdo norme njerëzore.

Kjo çështje tejkalon politikën ditore. Kjo është pyetje elementare për karakterin e shtetit: a mbron ndjenjat e qytetarëve apo interesat e kazinove?

Prandaj kërkojmë menjëherë:

* Të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës.
* Të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit.
* Të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave.
* Të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone.

Dhe në fund, si shtesë e domosdoshme: qytetarët kanë të drejtë të dinë pse kjo qeveri tërhoqi edhe ligjin me të cilin premtonte largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave dhe zonave të ndjeshme. Sot, kur shohim çfarë po ndodh pranë varrezave, ajo pyetje bëhet edhe më e rëndë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo