Astrit Iseni dhe Afrim Gashi mes vete komunikojnë maqedonisht

Një dokument zyrtar që po qarkullon në opinion ka ngritur reagime të shumta, pasi dëshmon se komunikimi ndërmjet dy funksionarëve shqiptarë, Astrit Iseni dhe Afrim Gashi, zhvillohet në gjuhën maqedonase.

Ky rast vjen në një kohë kur shqiptarët dhe BDI kanë investuar për vite me radhë për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Ky ligj garanton përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në institucionet shtetërore. Megjithatë, realiteti në terren po tregon një tablo krejtësisht ndryshe.

Aktualisht, ka përpjekje të hapura nga kjo qeveri për ta shfuqizuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese me synim shfuqizimin e tij. Në të njëjtën kohë, ligji jo vetëm që nuk zbatohet, por edhe shkelet në mënyrë të vazhdueshme.

Shembujt janë të shumtë

* Tabelat rrugore dygjuhëshe janë zëvendësuar në mënyrë kundërligjore vetëm në gjuhën maqedonase.

* Kumtesat për media publikohen vetëm në maqedonisht.

* Shumë institucione shtetërore kanë faqe zyrtare i kanë kthyer vetëm në një gjuhë.

* Në provimin e jurisprudencës nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe, edhe pse ligji e garanton këtë të drejtë.

* Inspektorati i gjuhës shqipe është degraduar duke humbur statusin e personit juridik.

* Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe është bërë thuajse inekzistente.

* Me vendime qeveritare, madje janë marrë edhe hapësirat e kësaj agjencie, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.

Raportohet gjithashtu se në mbledhjet e qeverisë nuk guxohet të flitet shqip, çka përbën një tjetër tregues të regresit në respektimin e të drejtave gjuhësore.

Në këtë kontekst, dokumenti që dëshmon komunikimin në maqedonisht mes dy funksionarëve shqiptarë shihet si një simbol i një fenomeni më të gjerë: zbehjes së përdorimit institucional të gjuhës shqipe.

Kjo situatë ngre pyetje serioze: ku po e çon kjo kastë politike përfaqësimin e shqiptarëve? Kritikat janë të ashpra dhe e cilësojnë këtë si një nivel të paprecedentë të nënshtrimit institucional.

Zbatimi i ligjit për gjuhën shqipe nuk është çështje vullneti politik, por obligim ligjor. Respektimi i tij është test për barazinë dhe funksionimin demokratik të shtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo