Policia e Kosovës të martën në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar një të dyshuar, shtetas të Kosovës i nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile.
Policia njoftoi se ky person dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë luftës mori pjesë në dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre. Po ashtu, bashkë me të tjerë në grup kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta15 civilë shqiptarë e kanë zhdukur 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skenderaj.
“I dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, dhe i është caktuar masa e ndalimit 48-orë.