Debat në kuadër të Forumit të Diplomacisë Kulturore: “E ardhmja e demokracisë në botën e fragmentuar: Si të forcohen institucionet demokratike”

“E ardhmja e demokracisë në botën e fragmentuar: Si të forcohen institucionet demokratike” është tema që u debatua sot në Sallën Kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, në kuadër të Forumit të Tretë për Diplomaci Kulturore – Shkup 2025.
Përveç pjesëmarrësve në Forumin e Diplomacisë Kulturore, në debat morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të RMV-së, gjatë të cilit u konkludua se diplomacia kulturore luan rol të madh në forcimin e demokracisë, në periudhën kur, siç u tha, ajo është në stagnim, duke pasur parasysh lëvizjet e mëdha gjeopolitike.
Duke hapur evenimentin, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, shprehu kënaqësinë që Kuvendi është përfshirë në agjendën e Forumit të Diplomacisë Kulturore, i cili është mundësi për deputetët që të kontribuojnë në forcimin e diplomacisë kulturore në botë, e cila mund të arrijë atë që diplomacia tradicionale nuk mund ta arrijë.
“Diplomacia kulturore, si pararendëse e diplomacisë politike dhe ekonomike në botë, ka për detyrë të krijojë perceptimin më të favorshëm të vendeve, duke i afruar popujt, që në fakt është misioni themelor i kulturës. Bota sot po përballet me ngjarje dramatike dhe po ndryshon me shpejtësinë e dritës, ndërsa tensionet gjeopolitike në rritje po shkaktojnë tronditje dhe pasiguri. Dinamika e shtuar në marrëdhëniet ndërkombëtare gjithnjë e më shumë tregon për shfrytëzimin e mundësive të ofruara nga diplomacia kulturore, në drejtim të pasurimit dhe zgjerimit të përmbajtjeve përmes të cilave ndërtohen dhe kultivohen marrëdhëniet në nivelin e politikës së jashtme”, tha Kryetari Gashi.
Ish-Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, gjithashtu iu drejtua të pranishmëve, duke theksuar se kjo është kohë kur jeta në tërësi po pëson transformim, ndërsa demokracia është në gjendje stagnimi, si rezultat i rritjes së dezinformatave, pabarazisë ekonomike, tendencave autoritare, politizimit politik… Prandaj, siç tha, është e nevojshme të forcohen institucionet demokratike, të rritet pjesëmarrja e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe të ndërtohen strategji për të luftuar dezinformatat.
Si pjesëmarrës në Forumin e Diplomacisë Kulturore, në këtë eveniment morën pjesë edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Majdani, si dhe ish-Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, të cilët, ndër të tjera, theksuan se është shumë e rëndësishme të rivendoset besimi në politikë dhe të kapërcehet gjendja e mungesës së lidershipit politik.
Tasmina Ahmet-Sheik, ish-anëtare e Parlamentit Britanik, foli gjithashtu për rëndësinë e diplomacisë kulturore në forcimin e institucioneve demokratike; Davor Filipoviq, ish-ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë, Delia Domingo Albert, ish-sekretare e Punëve të Jashtme të Filipineve.
Deputetja Saranda Imeri Stefai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, theksoi gjithashtu se kultura është urë për lidhjen e popujve dhe kapërcimin e paragjykimeve dhe stereotipeve.

Debat në kuadër të Forumit të Diplomacisë Kulturore: “E ardhmja e demokracisë në botën e fragmentuar: Si të forcohen institucionet demokratike”