Zëvendësdrejtori i “Rrugët e Maqedonisë”, Sasho Drango, vret një ari dhe pozon me të, organizata “Anima Mundi” kërkon shkarkimin e tij
Zëvendësdrejtori i “Rrugët e Maqedonisë” dhe kryetar i Unionit të Veteranëve në Demir Hisar, Sasho Drango, është fotografuar me krenari me një ari që e kishte qëlluar në dhjetor të vitit 2024, njoftoi organizata joqeveritare për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”.
Arinjtë janë të klasifikuar si kafshë e mbrojtur, që do të thotë se gjuetia, ndjekja ose shqetësimi i tyre është rreptësisht i ndaluar.
“Fotografitë që ka siguruar ‘Anima Mundi’ tregojnë se Drango, pasi vrau ariun, pozoi gjakftohtësisht me të, sikur të ishte një trofe. Kjo pasqyron hobi-n e tij të sëmurë, për të cilin flasin edhe fotot e tij me kafshë të tjera të egra të vrara, të publikuara në rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për një person, i dyti në hierarkinë e një ndërmarrjeje publike, i cili duhet të jetë shembull në respektimin e ligjeve dhe jo autor i veprave penale. Kjo ngre pyetjen nëse Drango është i paprekshëm nga drejtësia vetëm sepse është politikan dhe sa herë e ka kryer këtë akt monstruoz,” thonë nga “Anima Mundi”.
Sipas nenit 11 të Ligjit për fauna dhe Gjuetinë, ariu klasifikohet si faunë e mbrojtur, që do të thotë se gjuetia, ndjekja ose shqetësimi i tij është rreptësisht i ndaluar. Për më tepër, neni 14 i të njëjtit ligj parashikon që gjuetia ndaj ariut është e ndaluar përgjithmonë, pa përjashtime. Sipas nenit 228 të Kodit Penal, gjuetia e faunës së mbrojtur, si ariu, ndëshkohet me burg nga një deri në pesë vjet.
“Theksojmë se një njeri i civilizuar është vetëm ai që ka respekt për të gjitha qeniet e gjalla, dhe jo ai që degradon habitatet e tyre, ndërhyn në territorin e tyre natyror dhe i armatosur deri në dhëmbë vret,” thonë nga shoqata, duke paralajmëruar një kallëzim penal kundër Drangos.
Nga “Anima Mundi” presin që ai të shkarkohet nga pozita, sepse, siç thonë, ata që mbajnë funksione publike duhet të jenë sinonim për përgjegjësi, llogaridhënie dhe respektim të ligjeve, në vend që, me armë në dorë, të vrasin specie të mbrojtura dhe të mos mbajnë përgjegjësi.
“Kërkojmë që ligji të vlejë për të gjithë dhe që për këtë krim kundër natyrës, ku humbi jetën një kafshë e çmuar, të shqiptohet dënimi më i lartë i parashikuar nga ligji,” thonë nga “Anima Mundi”.