Shaqiri: Historia e shqiptarëve në RMV nuk ka filluar asnjëherë me Ahmetin

Deputeti i koalicionit VLEN, Rijad Shaqiri në një replikë ndaj deputetit të BDI-së, Talat Xhaferi, tha se historia e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka filluar asnjëherë me Ali Ahmetin dhe nuk përfundon me të. Ai mes tjerash tha se përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë shumë më e avancuar me kushtetutën e vitit 1974, sesa tani kur BDI krekoset se e ka avancuar të njëjtën.

“Edhe përkundër faktit që nuk e kisha plan të kyçem në këtë debat, por ja që nga kjo foltore në vazhdimësi provohet të promovohet apo të ruhet me çdo kusht të lartësohet emri i z.Ahmeti. Z.Talati unë veç dua të iu kujtojë se historia e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka filluar asnjëherë me Ali Ahmetin dhe nuk përfundon me Ali Ahmetin. Historia e shqiptarëve është kamotshme dhe është shumë e hershme në RMV. Kemi patur shumë procese paraprake të cilat z.Ahmeti nuk është bërë as i gjallë. Sa i përket asaj që thatë se duhet të ia lajmë këmbët e ti pihet uji Ahmetit, më duhet të ju kujtojë se në radhët tona kemi dy hoxhallarë të cilët mos dashtë Zoti ta lajnë z.Ahmeti e asnjëherë më nuk kthehet. Kështu që ne si opozitë ua treguam vendin juve si pushtet, dhe është mirë të rrini qetë konform angazhimeve tuaja politike. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, duhet të ju kujtojë se me kushtetutën e vitit 1974, gjuha shqipe ka qenë shumë e avancuar në raport me atë që ju krekoseni se keni arritur. Z.Talat dije se ju si kryeministër teknik vendimet e para që i morët, morët për shkarkimin e dy ministrave shqiptarë dhe drejtorëve shqiptarë. Në mbledhjen e parë të këtij kuvendi kur keni marrë pjesë si kryeministër teknik është sjell ligji për branitellat që sot mundoheni të viktimizoheni si Front Europian. Është mirë ti shihni gjërat ashtu si janë, ti trajtoni çështjet ashtu siç janë dhe mos u mundoni të bëni rolin e avokatit të z.Ahmeti sepse atij është duke i trokitur Prokuroria e lartë në derën e tij”, ka theksuar Shaqiri.