Orban: Pranimi i Ukrainës në BE sjell më shumë rreziqe sesa mundësi

Kryeministri hungarez Viktor Orbán tha se anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian “mund të sjellë më shumë rreziqe sesa mundësi tani për tani”.

Në një intervistë për shërbimin publik, ai tha se Ukraina “duhet të trajtohet kur të përfundojë lufta” dhe kur të përfundojë politika e sanksioneve të BE-së, sepse ajo paraqet një sfidë serioze, madje edhe një kërcënim për ekonominë evropiane, raportoi MTI.

Orban vuri në dukje se Ukraina nuk mund të mbijetojë pa fondet perëndimore dhe se nuk ka aktivitete ekonomike që mund të përshtaten në ekonominë evropiane.

Ai komentoi edhe situatën aktuale gjeopolitike, duke deklaruar se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, “çliroi Amerikën”, ndërsa “forcat e (financierit dhe filantropit amerikan) George Soros tani janë “tërhequr në Bruksel”.

Ai u bëri thirrje vendeve evropiane që të bëjnë gjithçka për të “përzënë” Sorosin dhe interesat e tij nga Brukseli, duke theksuar se viti 2025 është vendimtar për luftën kundër “perandorisë Soros”, e cila, sipas tij, kërcënon sovranitetin e Hungarisë dhe Evropës.