Qytetarët në Kosovë janë shprehur të zhgënjyer për gjuhën që po përdoret në fushatën elektorale në Kosovë nga drejtuesit e partive politike, por mbi të gjitha nga gjuha e ashpër e kryeministrit Albin Kurti, shumë e shohin edhe si frikë nëse ai do të sigurojë shumicën absolute në zgjedhjet e 9 shkurtit apo jo. Çfarë po ndodh me partitë e tjera në opozitë dhe pse nuk është pjesë e garës Partia Socialdemokrate?
Për këto çështje foli në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN kreu i PSD, Dardan Molliqaj. Fillimisht, ai zbuloi arsyet se pse nuk u bë pjesë e garës së 9 shkurtit.
“Janë disa faktorë. Në matjen e opinionit publik, partia jonë është në masën e 2-3%, e dyta, nuk i kemi financat për ta provuar fatin. Mbi të gjitha ajo që PSD ka ndërtuar të ndërtojë në këtë kohë 4 vite nën qeverisjen e Kurtit nuk është aty ku duhet të ishte. Janë dy arsyet kryesore. Së pari, fitorja e Kurtit e vitit 2021 ishte një aksident dhe së dyti, shpjegimi i pushtetit se këtu jemi për shumë kohë dhe kemi një lidhje të drejtpërdrejtë me popullin. Ne mendojmë se kemi të bëjmë me një pushtet autoritar në Kosovë dhe besojmë se nuk është aksident dhe besojmë se është edhe i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Në këto zgjedhje po ballafaqohen dy botëkuptime ku nuk është PSD-ja. Këtu janë dy kampe që po testohen, por besoj se për Kosovën do të jetë keq, pasi leximi jonë është se rezultati do të jetë i pafavorshëm për ato që presin qytetarët e Kosovës”, tha Molliqaj.
Më tej, kreu i PSD-së theksoi se kjo parti do të ketë besueshmërinë për ndërtimin e opozitës, ndërsa u shpreh se opozita aktuale ka gabuar diagnozën për pushtetin.
“Kjo nuk është tërheqje, por një hap anash. PSD-ja është i vetmi subjekt politik që do ta ketë besueshmërinë për të ndërtuar opozitën. Opozita aktuale e ka gabuar diagnozën e pushtetit dhe po i jep ilaçin e gabuar. Kjo i bie që nuk do të shërohet sëmundja, e cila në këtë rast është pushteti autoritar i Albin Kurtit”, tha Molliqaj. (A2 Televizion)