“Kjo është deponia e fshatit Dëbërcë të komunës së Zhelinës. Interesante është se kjo deponi po digjet tash e tetë muaj edhe përkundër intervenimeve të zjarrfikësve disa herë, kjo deponi nuk është shuar asnjëherë. Në pamundësi për ta shuar zjarrin tërësisht, komuna e Zhelinës më në fund ka marrë vendim që të njëjtën ta pastroj dhe ta heq nga ky vend”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Kreu i Komunës së Zhelinës thotë se deponia do të hiqet brenda muajit, por ankohet se policia asnjëherë nuk gjeti shkaktarin e zjarrit, edhe përkundër denoncimeve nga komuna se dyshohet për zjarr-vënie të qëllimshme.
“Ka nisur pastrimi, me një vendim të komunës, të cilin e solla kur erdha kryetar komune, për të ndaluar hedhjen e mbetjeve këtu. Pastaj hapëm procedurë për koncesioner të ri ku aplikuan ata që plotësonin kushtet, por kushti kryesor ishte që të mos hidhen më mbetje këtu, dhe ashtu është duke ndodhur mbetjet e komunës së Zhelinës hidhen në Rusino. Ne kemi nisur si komunë të pastrojmë këtë deponi por shkaku i kushteve me shi janë ndërprerë punimet deri në përmirësimin e kohës dhe do vazhdoj pastrimi. Policia jonë, mos dashtë Zoti të mbetesh në duart e policisë Grupçinit se as edhe dhjetë vite tjera nuk mund të zbardhin rastin”, tha Blerim Sejdiu, Kryetar i Komunës së Zhelinës.
U drejtuam edhe në policinë e Tetovës, nga informuan se po punohet për zbardhjen e rastit.
“ Më 10.09.2023 në SPB- Tetovë është raportuar një zjarr i shkaktuar në një Deponi mbeturinash në hyrje të fshatit Dëbërcë të Tetovës. Janë marrë masa për zbardhjen dhe dokumentimin e çështjes”, thonë nga SPB-TETOVË.
Deponia në fshatin Debërcë të komunës së Zhelinës po ndot ambientin tash e shtatëmbëdhjetë vite, ndërsa vitin e fundit, e njëjta çdo të tretën ditë ndizej dhe digjej kështu sikurse shihet në pamje./ Alsat