Ukraina tërheq nga vijat e frontit tanket amerikane për shkak të rrezikut nga sulmet ruse me dronë

Ukraina ka larguar nga fushëbeteja tanket amerikane Abrams M1A1, pjesërisht për shkak të kërcënimit nga sulmet e dronëve rusë, sipas dy zyrtarëve të lartë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord t’i japin Ukrainës 31 tanke Abrams në janar të vitit 2023 pas këmbënguljes së Kyivit se tanket, të cilat kushtojnë 10 milionë dollarë secili, janë jetike për të thyer vijat ruse të frontit.

Por fushëbeteja ka pësuar shumë ndryshime që atëherë, sidomos sa i përket përdorimit të përhapur të dronëve rusë. Këto armë e kanë bërë më të vështirë për Ukrainën të mbrojë tanket, të cilët mund të zbulohen dhe sulmohen nga dronët, apo raketat ruse.

Pesë nga 31 tanket e dhuruara tashmë janë shkatërruar nga sulmet ruse.

Përdorimi i shtuar i dronëve rusë në fushëbetejë në Ukrainë do të thotë se “nuk ka asnjë copë toke të sigurt për të lëvizur pa frikë pët të mos u zbuluar,” deklaroi një zyrtar i lartë i mbrojtjes të enjten.

Zyrtari foli me kusht që të mos identifikohet ndërkohë që po ofronte informacion të ri për përkrahjen amerikane me armë për Ukrainë, në prag të takimit të së premtes me Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Aktualisht, tanket janë larguar nga vijat e fronit dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë me ukrainasit për t’ëshqyrtuar taktikat, deklaroi Zëvendës-shefi i Shtatmadhorisë, Admirali Christopher Grady.

“Kur merr parasysh si është zhvilluar beteja, automjetet e blinduara, në një mjedis ku sistemet ajrore të komanduara nga distanca janë të shpërndara gjithandej, vihen në rrezik,” i tha zoti Grady agjencisë Associated Press në një intervistë gjatë kësaj jave, duke shtuar se tanket ende mbesin të rëndësishme.

“Ka mënyra,” tha ai. “Do të punojmë me partnerët tanë ukrainas dhe me partnerët e tjerë që janë atje, t’iu ndihmojmë se si mund t’i përdorin, në këtë mjedis të ndryshuar, ku çdo gjë zbulohet menjëherë.”

Lajmi për tërheqjen e tankeve nga fushëbeteja vjen ndërkohë që Shtete e Bashkuara shënojnë dy vjetorin e themelimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, një koalicion i rreth 50 shteteve që takohen në baza mujore për të vlerësuar nevojat e fushëbetejës në Ukraine dhe për të identifikuar se ku mund të sigurohet armatimi i nevojshëm dhe mirëmbajtja e tij për forcat ukrainase.

Ndihmat e kohëve të fundit, përfshirë 1 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që u nënshkrua nga Presidenti Biden të mërkurën, reflektojnë gjithashtu një shqyrtim më të gjerë të taktikave të forcave ukrainase në raport me betejën, natyra e së cilës po ndryshon.

Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë të premten se do t’i japin Ukrainës edhe 6 miliardë dollarë në formë të ndihmës afatgjatë ushtarake, sipas zyrtarëve amerikanë. Ata shtuan se kjo ndihmë do të përfshijë municionin e shumëkërkuar për sistemet mbrojtëse ajrore Patriot.

Ndihma prej1 miliardë dollarësh përfshin pajisje kundër dronëve, përfshirë predha të kalibrit 50mm që përdoren kundër dronëve; armatim shtesë dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore; si dhe një numër autoblindash më pak të kushtueshëm si Humvee, Brandley dhe makina anti-minë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu konfirmuan për herë të parë se do t’i japin Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë, të njohura si ATACM, që do t’i mundësojnë Ukrainës të godasë në thellësi të zonave të okupuara nga Rusia pa nevojë për të avancuar në fushëbetejë, duke e kufizuar mundësinë që të zbulohet nga dronët rusë dhe sistemet tjera mbrojtëse ruse.

Ndonëse dronët përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm, ukrainasit gjithashtu nuk kanë përvetësuar taktika që do t’i kishin bërë tanket më të efektshme, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes.

Pasi kishte njoftuar se do t’i jepte Ukrainës tanket Abrams në janarin e vitit 2023, Shtetet e Bashkuara filluan të stërvitin ukrainasit në bazën ushtarake Grafenwoehr në Gjermani se si t’i mirëmbajnë dhe si t’i përdorin ato. Ata po ashtu i mësuan ukrainasit se si t’i përdorin ato si pjesë e një strategjie të kombinuar luftarake – ku tanket veprojnë si pjesë e një sistemi për të avancuar forcat e blinduara, duke koordinuar lëvizjen me sulme nga ajri dhe sulme të këmbësorisë.

Ndërkohë që kundërofensiva ukrainase ngeci në pranverën e vitit të kaluar, përdorimi i tankeve Abrams në fushëbejetë u konsiderua si kusht për të thyer vijat ruse të frontit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi përmes kanalit të tij në platformën Telegram në shtator se tanket Abrams kishin mbërritur në Ukrainë.

Që atëherë, megjithatë, Ukraina i ka përdorur ato në një mënyrë të kufizuar dhe nuk e ka përvetësuar strategjinë e luftës së kombinuar si pjesë të operacioneve të saj, deklaroi zyrtari i mbrojtjes.

Gjatë tërheqjes nga Avdiivka, qytet në pjesën lindore të Ukrainës, ku kishte luftime të ashpra, disa tanke u shkatërruan nga sulmet ruse, sipas zyrtarit.

Vonesa e gjatë e Kongresit për të miratuar ndihmën e re për Ukrainën i detyroi forcat ukrainase të kursejnë municionin.

Në qytetin e Avdiivkës, forcat ukrainase, në numër shumë më të vogël dhe me mungesa të mëdha municioni, u detyruan që të luftojnë kundër raketave dhe dronëve rusë me çdo mjet që u kishte mbetur në duar. /VOA