Serbia fushatë kundër Kosovës në KiE, Vuçiç letër Macron dhe Scholz


Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropianë për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kjo, me gjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti Vuçiç Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup pune për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.

Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.