Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të referendumit për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në deklaratën e tij, fillimisht Kurti bën një përshkrim sesi kanë rrjedhur ngjarjet në veri të Kosovës që prej mbajtjes së zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të kaluar. Më pas, ai shkruan se “20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%”.
Për Kurtin, tashmë BE duhet të heqë menjëherë masat ndaj Kosovës pasi mbajtja e zgjedhjeve ishte vendosur si kusht. Ndërkohë, sa i përket qytetarëve, ai thekson se ata që nuk votuan këtë të diel, tashmë duhet të urojnë kryetarët.
“Një vit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat u mbajtën më 23 prill të vitit 2023, e u njohën nga BE dhe ShBA, përkatësisht QUINT-i, sot u mbajtën ‘zgjedhjet për shkarkim’ të këtyre kryetarëve.
Këto ‘zgjedhje për shkarkim’ u organizuan si përgjigje ndaj kërkesës së këtyre faktorëve ndërkombëtarë, e që erdhi pas sulmeve të dhunshme ndaj kryetarëve aktual dhe bandave ekstremiste të dhunshme që mësynin të hynin në ndërtesat komunale më 29 maj të vitit të kaluar, organizuar e sponzorizuar nga Serbia. Ato rezultuan me lëndimin e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it, dhjetëra policëve të Kosovës dhe gazetarëve.
Bazë e kërkesës për zgjedhjet për shkarkim ishte mungesa e legjitimitetit të kryetarëve aktual për shkak të daljes së ulët të qytetarëve, për shkak të kërcënimeve e shantazheve ndaj popullsisë lokale nga Beogradi zyrtar dhe vegla e tij Lista Serbe. U bë edhe udhëzimi administrativ që sqaronte se si zbatohet neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor.
Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%.
Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna.
Në këto tri vite, qeveria ka bërë maksimumin për të luftuar krimin dhe kontrabandën dhe për forcuar sundimin e ligjit. Sipas të dhënave nga terreni, në aspektin e sigurisë situata është raportuar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar. Por, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia. Procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Falënderojmë Komisionin Qendror Zgjedhor dhe të gjitha institucionet e Kosovës për organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor i cili rrodhi pa incidente.
Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë.
Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, mbyllet reagimi i Kurtit.