Pjesëmarrje e ulët në Veri: Deri në orën 11:00 votuan 85 persona


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi, tha se deri në orën 11:00 në katër komunat në veri të Kosovës 85 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë.

Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, tha Radoniçi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.