Lukashenko thotë se janë pjekur kushtet për bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë


Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko thotë se kushtet janë “të pjekura” për bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë pasi të dyja palët janë në ngërç.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Lukashenko, aleati i Putinit, vuri në dukje bisedimet paraprake të mbajtura në vitin 2022 midis Rusisë dhe Ukrainës si pikënisje për negociatat, shkruan Skynews.

Pavarësisht kësaj, ai tha gjithashtu se rreziku i incidenteve ushtarake me Kievin ishte “mjaft i lartë” dhe pretendoi se rreth 120,000 ushtarakë ukrainas janë të vendosur në kufirin midis dy vendeve.

Ai tha gjithashtu se “disa dhjetëra” armë bërthamore taktike ruse ishin vendosur në Bjellorusi, si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar me Vladimir Putin.

Më herët sot, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë tha se Rusia do të synonte armët bërthamore të NATO-s nëse ato do të vendoseshin në Poloni.