Kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti shqiptar? Ahmeti: Nuk provokoj, është një porosi


Seanca simuluese e realizuar ditë më parë nga Fronti Europian, dërgoi porosinë se me Maqedoninë e Veriut udhëheqin kryeparlamentari, presidenti dhe kryeministri shqiptar.

Por gjithë kjo situatë e simuluar, sipas liderit të BDI-së, Ali Ahmeti ishte që të dërgohet porosi – që presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut të zgjidhet në Kuvend, me shumicë prej badenterit.

“Ishte një porosi për zhvillimet e ardhshme në Parlamentin e Maqedonisë. Ishte një porosi. Ne nuk e kemi nisur ta bëjmë vetë, por e drejta jonë është… sepse nuk jemi pak. Jemi 9 parti politike të të gjitha komuniteteve.
Kryeministri shqiptar, kryeparlamentari shqiptar, presidenti shqiptar?

Ne kemi objektiva dhe objektivi ynë i radhës është që presidenti i radhës të zgjidhet në Kuvend me shumicë prej badenterit dhe sigurisht, me negociata të partive politike”, tha Ahmeti në ClickPlus në TV21.

Mori shembullin e Greqisë duke thënë se presidenti zgjidhet nga opozita, kurse pushtetin e udhëheq shumica.

“Kjo për të bërë bilancin… Asgjë e keqe nuk do t’i ndodh shtetit. Përkundrazi, do të ketë më shumë harmoni”, tha Ahmeti.

Shtoi se kjo nuk paraqet provokim.

“Nuk është as provokim dhe as kërcënim. Ky shtet është sa i maqedonasve, po aq edhe i shqiptarëve”, tha Ahmeti.