Drama e radhës në Beograd, Vuçiq me “plan veprimi ndaj presionit që po i bëhet për Kosovën dhe RS”


Presidenti i Serbisë ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill me të cilën ka thënë se ka pasur një bisedë përmbajtësore dhe të hapur. Po ashtu Vuçiq në profilin e tij në Instagram ka njoftuar se kanë folur edhe për vazhdimin e dialogut me Kosovën, situatën në rajon, ngjarjet aktuale gjeopolitike dhe bashkëpunimin bilateral mes vendit të tij dhe SHBA’së.

“E përsërita pozicionin konsistent të Serbisë e cila po vazhdon të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e banorëve serb në Kosovë dhe ruajtjen e interesave të saj kombëtare”, ka shkruar Vuçiq.

“E konfirmuam përcaktimin e përbashkët që të vazhdojmë avancimin e mëtejm të marrëdhënieve serbo-amerikane” ka shtuar ai.

Më vonë mediat në Serbi kanë njoftuar se Qeveria (teknike) e Serbisë do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme ku do të marrë pjesë edhe Presidenti I Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Mbledhja e jashtëzakonshme do të mbahet nedsër në ora 10 në Pallatin Serbia, ndërsa pos shefit të shtetit Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Ana Bërnabiq dhe ministrat, e po ashtu do të marrin pjesë edhe njerëzit kyç nga sektori I sigurisë, ushtrisë, policisë si dhe drejtorët e ndërmarrëjeve publike”, njoftojnë mediat serbe.

“Në këtë takim në format më të gjerë, do të shqyrtohet plani aksional, respektivisht përgjigja e e shtetit ndaj situatës së palakmueshme që ka kulmuar me presionet ndaj Beogradit kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Republika Srpska’n”

Pikërisht nesër pritet një takim Kosovë -Serbi në Bruksel për çështjen e dinarit. Emisari Miroslav Lajçak ka thënë gjatë javës se shpreson se në këtë takim palët do t’i tejakojnë dallimet e mbetura. Ndërsa Kryeministri Albin Kurti sot gjatë një prononcimi në Mitrovicën e Veriut pas vizitave atje ka thënë se zëvendësi i tij nuk ka mandat që të negociojë për rregulloren e BQK’së, Brukseli kohë më parë ka njoftuar se atje është duke u tentuar të gjendet një zgjidhje e përkohshme për këtë temë.