Rusia po ndërton Starlink-un e vet: Sinjali do të arrijë në çdo cep të Tokës


Operatori më i madh rus celular MTS (Mobilni TeleSistemi) i ka kërkuar Komisionit Shtetëror për Radio Frekuenca të përcaktojë frekuencat që do të përdoren për të testuar një rrjet hibrid të destinuar për thirrje telefonike dhe akses në internet përmes satelitit.

Frekuencat e testimit mund të përcaktohen deri në fund të marsit sa më parë, raportoi Izvestia, duke cituar një burim të paidentifikuar.

Frekuencat mbulojnë dy gamë të ndryshme:

nga 1,950 në 1,965 MHz – të destinuara për transmetimin e të dhënave nga Toka në satelitë
nga 2,140 në 2,155 MHz – për sinjalet e kthimit nga satelitët.
Satelitët do të marrin rolin e stacioneve bazë 5G për “shpërndarjen” e sinjaleve dhe aksesin në internet në ato zona që nuk mbulohen nga sinjalet e rrjetit celular. Dhe që një transmetim i tillë të ndodhë, është e nevojshme të formohet një plejadë satelitësh në orbitën e ulët të Tokës.

Sipas faqes ComNews, për ngritjen e saj duhet të ndahen rreth një miliard dollarë. Vlerësimet e ekspertëve rusë tregojnë se aspektet tregtare të krijimit të një rrjeti të tillë janë të paqarta, pavarësisht se projekte të ngjashme tashmë janë zbatuar me sukses në vende të tjera.

Rrjeti i ri, i cili nuk do të zëvendësojë infrastrukturën ekzistuese, pritet të arrijë kulmin e transferimit të të dhënave nga 10 deri në 20 Mbit/s, ndërsa shpejtësia mesatare do të jetë 1-2 Mbit/s. Kjo është arsyeja pse ky rrjet hibrid shihet vetëm si një mënyrë e organizimit të komunikimit në vendet ku aktualisht nuk ekziston.

Strategjia ruse për zhvillimin e industrisë së telekomunikacionit për periudhën 2024-2035 parashikon krijimin e një rrjeti hibrid, shkruan 24 Gadget, por për momentin nuk dihet se cili do të jetë hapi i radhës pas kërkesës për ndarjen e frekuencave. MTS nuk pranoi të komentojë mbi planet për të ndërtuar një rrjet satelitor për Izvestia.