Demiri: Dhuruesit e gjakut janë njerëz me zemër të madhe që e japin gjakun aty ku është më i nevojshëm
Ministri i shëndetësisë, d-r Ilir Demiri mbajti fjalim sot në manifestimin solemn me rastin e Ditës së themelimit të Kryqit të kuq dhe Ditës së dhurimit të gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të organizuar nga Kryqi i kuq.
Demiri i uroi për këtë ditë dhuruesit e gjakut, duke theksuar se ata janë humanistë të mëdhenj, njerëz me zemër të madhe që janë gjithmonë të gatshëm të japin gjakun e tyre aty ku është më e nevojshme.
“Ministria e shëndetësisë ka një fokus të veçantë në këtë temë dhe për këtë qëllim, në drejtim të mbështetjes dhe afirmimit të dhurimit të gjakut, Ministria përgatit çdo vit Program të veçantë, i cili përmban masa dhe aktivitete për mbështetjen e dhurimit të gjakut në vendin tonë. Ai përmban masa dhe aktivitete për organizimin dhe realizimin e fushatave të dhurimit të gjakut, përgatitjen e materialeve promovuese, fonde motivuese për dhuruesit e gjakut, rimbursimin e shpenzimeve për organizimin e kampanjave të dhurimit të gjakut për organizatat komunale të Kryqit të kuq, aktivitetet e Institutit për mjekësi transfuzive dhe pjesëmarrjen në shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore të dhuruesve me mbi 10 dhurime gjaku”, tha Demiri.
Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse mungesa e vazhdimësisë në furnizimin me gjak do të shkaktojë ndalimin e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të tjera që kërkojnë aplikimin e gjakut për të shpëtuar shumë jetë.
“Përmes aktit të dhurimit të gjakut dhe në të ardhmen do të përpiqemi të sigurojmë gjak dhe produkte të gjakut për të plotësuar nevojat e sistemit shëndetësor në RMV. Urime me rastin e sotëm dhe ju uroj suksese të mëtutjeshme, veçanërisht të gjithë vullnetarëve, dhuruesve të gjakut dhe motivuesve, të cilët përmes shembullit të tyre pozitiv janë shembull për mbarë komunitetin tha Demiri.