Zelensky mbërrin në Arabinë Saudite për një vizitë pune


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka mbërritur sot në Arabinë Saudite për të zhvilluar bisedime me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, sipas një deklarate në llogarinë e tij në Telegram.

Zelensky tha më 27 shkurt, se kuadri i Formulës së Paqes së Kievit për t’i dhënë fund pushtimit rus, si dhe kthimi i pengjeve dhe njerëzve të dëbuar do të jenë temat kryesore të diskutimit.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite, konfirmoi se Zelensky kishte mbërritur në mbretëri.

Ukraina ka mbajtur disa takime shumëpalëshe për të diskutuar formulën e paqes me përfaqësues nga dhjetëra vende.

Kievi shpreson të mbajë një Samit të Paqes në Zvicër, këtë pranverë, duke përfshirë liderët e këtyre kombeve.

“Tani jemi shumë afër mbajtjes së Samitit të parë të Paqes dhe ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme aktive nga Arabia Saudite”, shkroi Zelensky në deklaratën e tij.

Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Arabia Saudite ka ndërmjetësuar më parë shkëmbimet e të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë.

Zelensky tha se ishte i sigurt se takimi i tij të martën do të “sillte rezultate” në këtë drejtim.