Shqipëri/ Mbyllet protesta, largohen deputetët, goditet sërish me molotov kryeministria


Pas rreth tre orësh, protesta kombëtare opozitës duket se është mbyllur.

Deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Luçiano Boçi dhe të tjerët janë larguar nga sheshi dhe nuk dihet nëse do të shkojnë drejt selisë blu apo tek rruga “Mustafa Metohiti” ku dhe banon lideri demokrat i cili ndodhet në arrest shtëpie.

Protestuesit e opozitës kanë hedhur shishe me molotov para Kryeministrisë menjëherë pas fjalimit të Sali Berishës.

Kur dukej se gjithçka po shkonte qetësisht, disa protestues kanë hedhur gurë, tymuese dhe shishe me molotov drejt forcave të policisë që kanë krijuar një gardh para kryeministrisë.

Gazetarët e Euronews Albania që kanë raportuar nga protesta bënë me dije se policia po bën gati autobotet me ujë për të shpërndarë protestuesit.

Me sloganin “O sot o kurrë, opozita në aksion”, opozita e bashkuar nën drejtimin e Rithemelimit organizon sot protestën e parë kundër qeverisë pa Sali Berishën, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej dy muajsh.