Osmani e telefonon Erdoganin për ditëlindje


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një telefonate ia ka uruar ditëlindjen e 70’të presidentit të Turqisë, Recep Taip Erdogan.

Osmani ka shkruar në platformën “X”, të hënën ku ka thënë se pos kësaj, me Erdoganin biseduan edhe për raportet Kosovë-Turqi.

“Pata kënaqësinë ta përshëndes për ditëlindje Presidentit Erdogan gjatë telefonatës sonë sot, shoqëruar me urime të përzemërta për mirëqenien e tij në vazhdimësi”.

“Ne diskutuam gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë-Turqi, si dhe për Forumin e Diplomacisë që do të mbahet në Antalia. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme të Turqisë”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës disa herë ka qenë në vizitë zyrtare në Turqi që kur mori mandatin në prill të vitit 2021.