Mbante në banesë, pistoletë, municion luftarak dhe jelek antiplumb, arrestohet 62-vjeçari në Tiranë


Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Handle”. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Mbante në banesë, armë zjarri pistoletë, krehër, municion luftarak dhe jelek antiplumb, arrestohet në flagrancë 62-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Handle”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Ç., 62 vjeç, banues në Mëzez, Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e 62-vjeçarit, në fshatin Mëzez, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, krehër, municion luftarak dhe një jelek antiplumb. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.