Ish-Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro mohon akuzat për grusht shteti


Ish-Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka thënë se ka qenë viktimë e persekutimit politik që nga largimi i detyrës pak më shumë se një vit më parë. Teksa më herët u akuzua për një grusht shteti, 68-vjeçari hodhi poshtë pretendimet para mbështetësve të tij në Sao Paolo. Ai tha se tanimë ishte koha për të harruar të shkuarën dhe përr ta lënë Brazilin të ecë përpara.

Bolsano bëri thirrje për një amnisti për qindra mbështetësit e tij të dënuar për sulme në ndërtesa publike. Policia po heton nëse Bolsonaro nxiti një grusht shteti të dështuar pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022.

Fjalimin më të fundit, Bolsano e përdori dhe për të folur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2026. Atij ende i është ndaluar të kandidojë për postin për tetë vjet për minimin e sistemit zgjedhor në Brazil dhe pretendimin se zgjedhjet e fundit ishin të falsifikuara, pavarësisht se nuk ka prova për mashtrime elektorale.

Turma të mëdha të veshura me të verdhë dhe jeshile, ngjyrat e flamurit brazilian, u mblodhën për të dëgjuar Bolsonaron duke folur. Disa nga mbështetësit e tij në tubim përsëritën pretendimet e paprovuara se zgjedhjet e fundit ishin të falsifikuara. 68-vjeçari u kishte kërkuar atyre që të mos sjellin postera që shkruajnë këtë apo kritikojnë institucione si Gjykata e Lartë.

Sjellim në vëmendje se pasi humbi zgjedhjet ndaj krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, mijëra mbështetës të tij sulmuan ndërtesat qeveritare në kryeqytetin Brasilia duke përfshirë pallatin presidencial, Gjykatën e Lartë dhe Kongresin duke plaçkitur ndërtesat.

Bolsonaro ishte në SHBA kur ndodhi sulmi ndaj Kongresit. Ai u kthye në Brazil në Mars 2023, duke thënë se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. 68-vjeçari mbetet figura më me ndikim për të djathtën në politikën braziliane./tvklan.al