Ish-avokati i Navalnyt arrestohet në Moskë


Mediat ruse raportuan më 27 shkurt se policia arrestoi Vasily Dubkov – ish-avokatin e politikanit opozitar, Aleksei Navalny – nën akuza të paspecifikuara.

Navalny vdiq derisa po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim nën akuza që përfshinin ekstremizëm.

Avokati Dubkov shoqëroi nënën e Navalnyt në qytetin Salekhard javën e kaluar, ndërsa ajo po kërkonte të lironte trupin e djalit të saj.

Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënës së tij, Lyudmila Navalnaya më 24 shkurt, më shumë se një javë pasi kritiku i Kremlinit vdiq në rrethana të dyshimta në një burg në Arktik.

Ende nuk është bërë publike shkaku i vdekjes së 47-vjeçarit.

Tre ish-avokatët e Navalnyt – Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster – u arrestuan në nëntor me akuza për ekstremizëm.

Në mes të nëntorit, një gjykatë në Moskë lëshoi një urdhër arresti për një tjetër ish-avokat të Navalnyt, Olga Mikhailova, me akuza për ekstremizëm.

Navalny, mbështetësit e tij, zyrtarët perëndimorë dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kishin cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.

Qindra rusë janë arrestuar gjatë homazheve për Navalnyn në mbarë Rusinë.

Familjarët e Navalnyt, bashkëpunëtorët e tij dhe zyrtarët perëndimorë kanë fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e tij.

Zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë këto akuza./REL