Garë armatimi në Ballkan: Serbia kryeson me armë të blera nga Kina, Rusia dhe Bjellorusia


Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, të mërkurën u njoftua se Serbia sërish ka marrë një tjetër dërgesë armësh nga Rusia. Bëhet fjalë për një sistem rus për bllokimin elektronik të dronëve, i njohur si Repellent, të cilin e prezantoi vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në dekadën e fundit Serbia ka rritur shpenzimet për blerjen e armatimit të ri e të sofistikuar, duke e bërë kështu një nga 40 importuesit më të mëdhenj në botë. Sipas Institutit SIPRI, Serbia renditet vendin e 37 në nivel botëror sa i përket blerjeve të armëve në periudhën 2018-2022, me një rritje prej madje 743% të shpenzimeve për këtë qëllim në krahasim me periudhën 2013-2018. Si furnizues më të mëdhenj të Serbisë me armatim janë Kina me 43%, Rusia me 30% dhe Bjellorusia me 20%.

Sipas institutit, Serbia është rekorder në Ballkanin Perëndimor sa i përket armatimit, duke e lënë prapa edhe Kroacinë, që është anëtare e NATO-s. Sipas indikatorëve të rrjedhjes së sistemeve dhe nënsistemeve të armëve, i përdorur nga SIPRI për të ndjekur armatimet e shteteve, Serbia po shënon një rritje eksponenciale të blerjes së armëve, i filluar nga 2016 ndërkohë që në vitin 2022 ka arritur në pikën më të lartë.

Në nivel Ballkani, vetëm Kroacia mund të llogaritet se është në një garë armatosjeje me Serbinë. Në vitin 2021 Kroacia vendosi të blejë 12 avionë luftarakë të përdorur Rafale nga Franca për gati 1 miliard euro, të cilët do të zëvendësonin flotën e vjetër të avionëve të epokës sovjetike dhe do të përforconin kapacitetet luftarake ajrore.

Tema e garës për armatim në Ballkan filloi në vitin 2015 kur Kroacia kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të dhuronin 16 sisteme raketash M270 Multiple Launch të prodhuar nga Lockheed Martin, të pajisur me raketa balistike. Presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq, atëherë kryeministër, u përgjigj duke deklaruar vendi i tij do të duhet të “gjejë përgjigje për këtë”. Përgjigjen e kërkoi në Rusi, me ç’rast në janar të vitit 2016 Moska i premtoi se do t’i dhurojë një model të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-300. As Kroacia e as Serbia nuk morën ndihmat e kërkuara. Megjithatë, në prill të vitit 2022 Serbia në mënyrë sekrete bleu një sistem kundërajror kinez, një rritje kapaciteti për ushtrinë serbe një muaj pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Serbia poashtu ka blerë 30 helikopterë luftarakë evropianë dhe rusë, dronë kinezë, raketa anti-blinduese izraelite dhe sisteme kundërajrore franceze.

Kroacia, ndërkaq, bleu 12 aviatorë gjermanë, 16 helikopterë amerikanë, raketa amerikane dhe modernizoi 76 automjete luftarake tokësore. Sidoqoftë, sa u përket mekanizmave të rëndë luftarakë, Serbia dhe Kroacia ende janë në kuadër të kufizimeve të dakorduara në vitin 1995 me Marrëveshjen e Dejtonit.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka investuar shumë pak në mbrojtje, duke mos u përfshirë kështu në garën rajonale të armatimit. Megjithatë, si duket, kjo periudhë ka mbaruar. Afër 1 miliardë euro planifikohen të shpenzohen nga buxheti shqiptar për blerjen e armëve të reja dhe modernizimin e atyre ekzistuese në periudhën 2022-2028. Kjo shumë do të përdoret për blerje të armatimeve e municioneve, sistemeve të luftës ajrore, dronë nga Turqia dhe një sistem transponderi me vlerë mbi 30 milionë euro që do të instalohen në helikopterët Blackhawk. Këto do të bëjnë që 27% e buxhetit vjetor të investohet në mbrojtje, për dallim nga viti 2019 kur ky investim ishte vetëm 9.8%.

Nga viti 2022 edhe Kosova duket se po futet në garën e armatimit. Në dy vitet e fundit, shteti më i ri në Evropë rriti për 80% numrin e ushtarëve dhe për 100% shpenzimet në mbrojtje. Në vitin 2023 Kosova bleu dronë nga Turqia, kurse më pas kërkoi blerjen 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin dhe lloje të tjera të armatimit nga SHBA-ja, të cilat nuk janë zbuluar nga qeveria e Prishtinës.

Maqedonia e Veriut, e cila u anëtarësua në NATO në vitin 2020, ka një plan dhjetëvjeçar të modernizimit të mbrojtjes, i cili parasheh 1 miliard euro shpenzime. Qëllimi është që armët e vjetra të prodhimit sovjetik dhe jugosllav të zëvendësohen me të reja të prodhimit perëndimor. Deri në vitin 2032 janë paraparë të shpenzohen për blerje të 8 helikopterëve ushtarakë me shumë funksione të prodhimit perëndimor, të cilët do të zëvendësojnë 12 helikopterët Mi-24, që iu dhuruan Ukrainës. Kjo do të jetë blerja më e madhe e pajisjeve ushtarake që nga viti 2001, kur Maqedonia e Veriut u përfshi nga një konflikt i armatosur. Në vend të tankeve, Maqedonia e Veriut tashmë ka lidhur kontrata për blerjen e mjeteve të blinduara të lehta me rrota JLIV dhe transportuesve të personelit të blinduar Stryker nga Shtetet e Bashkuara. Poashtu, është në proces të blerjes së mjeteve të blinduara të lehta nga Turqia dhe të sistemeve anti-tank Javelin, mjeteve Boran nga Turqia, sistemit kundërajror Mistral 3 nga Franca, si dhe lloje të tjera pajisjesh.

Pajisja me armë të reja e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi shihet në prizmin e përmbushjes së obligimeve të NATO-s për investim në mbrojtje të së paku 2% të Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB). Nga ana tjetër, armatosja e Serbisë veçanërisht pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë në fillim të vitit 2022, nga Perëndimi shihet si një potencial i rrezikshëm që mund të nxisë një tjetër luftë në Ballkan, me qëllim të defokusimit të vëmendjes nga Ukraina.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe që vazhdon të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Moskën. Edhe pse ka filluar procesin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian (BE) që nga viti 2014, Beogradi nuk ka harmonizuar politikën e jashtme të BE-së në raport me Rusinë, duke refuzuar të vendosë sanksionet e Unionit.

Përveç Kroacisë, Vuçiq përmend edhe rrezikun nga Kosova për të arsyetuar blerjen gjithnjë e më të madhe të armatimit për ushtrinë serbe. “Nëse dikush do të përpiqej të kryente një agresion kundër Serbisë siç ndodhi në vitin 1999, teknikisht nuk do të ishte në gjendje ta bënte atë në të njëjtën mënyrë”, tha ai, duke aluduar në intervenimin e NATO-s në vitin 1999, kur u sulmua Serbia me qëllim të ndërprerjes së katastrofës humanitare që ishte duke shkaktuar regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.

Për të parandaluar eksalimin e serishëm të situatës, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë apel që të gjitha blerjet e armëve të jenë transparente dhe integrimi evropian, i cili nënkupton nxitjen e bashkëpunimit rajonal, të jetë në fokus të çdo vendi të rajonit. /Geopos