Roboti i parë autonom i riparimit të rrugëve do të testohet në Britani


Roboti i parë që parandalon krijimin e gropave në rrugë do të bëjë debutimin e tij në testin rrugor në Hertfordshire në MB, një hap i rëndësishëm në mirëmbajtjen e rrugëve. I krijuar nga kompania e teknologjisë Robotiz3d dhe akademikë nga Universiteti i Liverpool-it, ky produkt autonom do të dalë jashtë laboratorëve për herë të parë.

I quajtur Sistemi Autonom i Riparimit të Rrugëve (ARRES) “Prevent”, roboti është i pajisur me inteligjencë artificiale për të zbuluar dhe analizuar çarjet dhe gropat në rrugë. Sapo i identifikon, mbush në mënyrë autonome të çarat, duke parandaluar kështu hyrjen e ujërave sipërfaqësore dhe krijimin e një vrime.

Inovacioni premton të kursejë kohë dhe para duke minimizuar pengesat në rrugë. Duke paralajmëruar një revolucion të mundshëm në mirëmbajtjen e rrugëve, kjo teknologji pioniere mund të ripërcaktojë mënyrën se si ne trajtojmë sfidat e mirëmbajtjes së rrugëve në të ardhmen, beson ekipi.

Ideja filloi si një projekt kërkimor në Universitetin e Liverpool-it në vitin 2016. Katër vjet më vonë u themelua kompania “Robotiz3d” dhe në vitin 2023 u zhvillua një sistem për analizimin dhe testimin e kushteve të sipërfaqes së rrugës pa ndërhyrjen njerëzore i quajtur ARRES “Aj”. Pajisja mund të mbledhë të dhëna gjatë lëvizjes me shpejtësi 96 kilometra në orë, dhe automjeti i mirëmbajtjes së rrugës skanon një korsi me një fushë shikimi deri në tre metra. Ai ofron informacion dhe të dhëna të detajuara, duke ofruar një analizë të plotë të defekteve në rrugë. Sistemi ofron të dhëna të sakta për llojet e defekteve dhe vendndodhjet e sakta.

Si një zgjerim i sistemit, roboti Prevent funksionon në mënyrë autonome ose nëpërmjet telekomandës, duke patrulluar rrugët për të identifikuar dhe mbyllur çarjet dhe për të parandaluar formimin e gropave. Automjeti me bateri, i cili duket si një furgon i vogël, regjistron gjithashtu detajet dhe vendndodhjet e riparimeve dhe mund të funksionojë si ditën ashtu edhe natën, pa ndikuar nga kushtet e ndriçimit, duke siguruar shërbim të pandërprerë. Për më tepër, qasja në distancë e të dhënave mundëson monitorimin dhe menaxhimin në kohë reale të operacioneve nga zyra.

Kompania pretendon se teknologjia e tyre mund të ofrojë një reduktim të ndjeshëm të kostove të mirëmbajtjes së rrugëve me 90 për qind, ndërsa ofron 70 për qind funksionim më të shpejtë. Për më tepër, kjo qasje rezulton në emetime tre herë më të ulëta të dioksidit të karbonit.

Edhe pse ende në fazën e pilotimit, mjeti i ri i është nënshtruar testeve rigoroze laboratorike.