Ben Blushi shpjegon “Komplotin”: Imagjinoni çfarë vendi do ishte Shqipëria nëse Kosova do ishte pjesë e saj

Publicisti nga Shqipëria, Ben Blushi, ka disa ditë që po qëndron në Prishtinë për të promovuar romanin e tij të fundit të titulluar “Komploti”.

Në një postim në Facebook, Blushi tha se shumë persona që e kanë blerë librin e tij, e kanë pyetur se për “çfarë komploti bëhet fjalë”.

Ndërkaq, ai dha një shpjegim të shkurtër.

“Komploti bëhet për Kosovën. Kosova është në qendër të një komploti që ndodh në të ardhmen kur shqiptarët dhe të huajt që jetojnë në Shqipëri mobilizohen për të rimarrë Kosovën dhe për t’ia bashkuar Shqipërisë. Në fakt kjo ka qenë tema ime e preferuar në të gjitha bisedat në Prishtinë me miq dhe të ftuar në prezantim. A e imagjinoni dot çfarë vendi do ishte Shqipëria nëse Kosova do ishte pjesë e saj? Çfarë energjie njerëzore, ekonomike dhe fuqie do çlirohej? Shqipëria do ishte një vend me 5 milionë banorë, me dy metropole, Tiranën dhe Prishtinën, një vend i rinuar i cili do mposhte plakjen, zbrazjen dhe pesimizmin”, ka shkruar mes tjerash autori Blushi.

Tutje, ai tha se Shqipëria do ishte vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe një vend i rëndësishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Sipas Blushit, shqiptarët “më në fund” do arrinin të mundnin paragjykimin më të dëmshëm të historisë për ne: “se jemi një popull i vogël që nuk bën dot gjëra të mëdha”.

Ai thotë se projekti i bashkimit kombëtar “do ishte një mrekulli për të dy palët – edhe për Shqipërinë që sot vuan nga zbrazja edhe për Kosovën që vuan nga izolimi”.

“Shqipëria do i siguronte Kosovës një shtet të njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova do t’i garantonte Shqipërisë entuziazëm dhe rini”.

“Prandaj ky Komplot ia vlen të bëhet ose të paktën ia vlen të tentohet”, tha Blushi.

Publicisti Blushi tha se do të vijë sërish në Kosovë për të prezantuar “Komplotin” në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren “e kudo tjetër”.

Ai tha se gjatë kësaj jave do qëndrojë në Tiranë në “Panairin e Librit” ku romani i tij do dalë për herë të parë në stendën e botimeve “Pegi”.

Blushi tha se shumë njerëz në Shqipëri do ta pyesin se “si ka mundësi që në roman është parashikuar që Shëngjini do jetë një bashki refugjatësh ashtu siç në fakt po ndodh këto ditë”.

“Ky është një nga problemet e vogla që shkakton ndarja e shqiptarëve në dy shtete. Për të njëjtën gjë, në këtë rast për të njëjtin roman, në Kosovë bëhen pyetje të tjera në Shqipëri të tjera. Unë do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve sidoqoftë”, përfundoi Blushi.

Ben Blushi ka promovuar romanin e tij “Komploti” në Prishtinë më 9 nëntor, në librarinë “Dukagjini”. Aty pati pjesëmarrës të shumtë nga shumë fusha. /Klankosova.tv