Sulmi në Banjskë, Gjukanoviq: Synohej ndarja e Kosovës, ishte politikë e Rusisë

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se veprimet në Banjskë nga forcat serbe ishin politikë e Rusisë, premisa e së cilave ishte krijimi i një konflikti të ngrirë me qëllim të ndarjes së Veriut të Kosovës.

“Ndodhi ajo që pritej. Ishte e pritshme dhe sigurisht ishte përpjekje për të hapur një konflikt të ngrirë në Ballkanin Perëndimor dhe është e qartë plotësisht se politika e kujt ishte. Ishte politikë e Rusisë. Pra, ideja e atij akti terrorist në Kosovë ishte të shkaktoheshin trazira, që të çonte te një konflikt i intensitetit të kufizuar dhe përfundimi i të cilit do të ishte përcaktimi i vijave demarkuese ndërmjet veriut të Kosovës dhe pjesët tjetër të Kosovës” ka thënë Gjukanoviq.

Sipas Gjukanoviq akti terrorist është rezultat i qasjes së politikave të “buta” të diplomacisë ndërkombëtare karshi Serbisë.

“Besoj se është me rëndësi të përcaktohet se politika e kujt krijoi një atmosferë në të cilën lindi akti terrorist. Unë besoj se ishte politika e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo politikë, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, e bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë në këmbim që Serbia të largohej nga Vladimir Putini, por që nuk ndodhi. Mendonin se do ta ndalonte Serbinë nga pengimi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por nuk e bëri. Ajo që ndodhi është se Serbia i përdori ato lëshime dhe në vend që të bënte politikën e saj të brendshme, filloi të bëjë politikë të kujdesit për serbët në rajon”, ka thënë Gjukanoviq në një intervistë për Federalna TV.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo