Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro në veri ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë. Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.
“Kemi gjetur armatim në vlerë më shumë se 5 milionë euro dhe sasitë e armatimit për qindra luftëtarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak e trajnimet luftarake, municione dhe pajisje të tjera, direktiva politike e strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike të gjitha vinin nga Serbia. Kësisoj prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri u qartësua e u vërtetua për të gjithë”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kurti kërkoi nga Serbia që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.
“Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere dhe aleate, ashtu si ne tashmë bëmë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës para 3 muajsh”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Ndërkohë, sa i përket ruajtjes së kufirit, Kurti tha se ekziston një zotim që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë atje, prandaj kërkojnë që ky vakum të mbulohet nga forcat e NATO-s. /