Përplaset helikopteri ushtarak në Australi, katër ushtarë të zhdukur

Katër persona janë zhdukur pasi një helikopter ushtarak u përplas në bregdetin e Queensland në Australi. Incidenti ndodhi gjatë stërvitjeve të natës mes ushtrisë australiane dhe asaj amerikane.

ADVERTISING

Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, ka thënë se misioni i kërkimit dhe shpëtimit menjëherë është nisur, raportoi BBC.

“Katër pjesëtarë të ekipit ajror ende nuk janë gjetur. Është herët dhe do të ketë më shumë informacion rreth këtij incidenti në vazhdim”, ka thënë ai.

Helikopteri MRH-90 u rrëzua gjatë stërvitjeve të njohura si “Talisman Sabre”, stërvitjet më të mëdha bilaterale në mes të Australisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar ndalimin e këtyre stërvitjeve, ku përfshihen edhe ushtarë nga Japonia, Franca, Gjermania dhe Koreja e Jugut.

Stërvitja kishte hyrë në javën e saj të dytë dhe po testonte logjistikën në shkallë të gjerë, luftimet tokësore dhe operacionet ajrore.

Ai pritej të përfundonte më 4 gusht. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, janë të dy aktualisht në Queensland si pjesë e dialogut vjetor ministror Australi-SHBA.